“Skena Far Uesti” dhe “Kupa si ring”, jehonë mediatike pas Juve-Inter!

Duhej të kishte qenë një spektakël futbolli. Nuk është se kjo gjë nuk ndodhi, por gjithçka u errësua nga ajo që ngjau në fund. Përfundoi 1-1 gjysmëfinalja e parë e Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Interit, ndërsa në minutat shtesë dhe në përfundim, pati konflikt dhe përleshje të lojtarëve. Mjaftoi një festim i Romelu Lukakut për të krijuar nervozizëm në fushë, ndërsa një pjesë e tifozëve në stadium lëshuan ofendime raciste ndaj sulmuesit të Interit. Jo vetëm kaq, por Lukaku u përjashtua nga loja për atë festim, pas dy kartonëve të verdhë. Më e keqja ndodhi pas vërshëllimës së arbitrit, kur konflikti u bë masiv. Dy lojtarë të tjerë u përjashtuan, nga një për secilën skuadër. “Kupa si ring, – komenton “La Gazeta delo Sporti”, – Juve-Inter barazim 1-1 dhe sherr në fund. Festimi i Lukakut shkakton kaosin!” “Sherri i Italisë, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, Juve-Inter, të shtyra dhe skena prej “Far Uesti” me tre lojtarë të përjashtuar!” Kuadrado shënoi për vendasit dhe Lukaku për miqtë, ndërsa ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet në Milano në 26 prill.

Sfidanti.al