Një njeri i dashuruar vetëm me veten! Edhe pse shpesh ka dashur të tregohet ndryshe, sidomos në kombëtaren e Portugalisë ku mjaft herë është sjellë si kapiten i vërtetë, me skuadrat e klubeve Kristiano Ronaldo ka qenë si ato “macet e egra” që janë të lidhura më shumë me shtëpinë sesa me familjen që jeton aty. Kur ishte tepër i ri, tek Mançester Junajtidi i Sër Aleks Fergusonit, nuk mund të bënte shumë “xhibla” sepse nuk kishte famën që ka sot, dhe skocezi e linte menjëherë në stol. Tek Reali, dalë nga dalë, u bë i bezdisshëm duke detyruar trajnerin Zidan t’i thoshte presidentit Perez, “ose rriti rrogën, ose largoje, se është bërë i padurueshëm”. Me fanelën e Juventusit dihet që nuk u dashurua kurrë, nuk mësoi italishten, dhe mbeti “mish” i huaj për shokët e skuadrës si dhe për trajnerët Sarri e Pirlo. Së fundi, tek Man. Junajtidi për herë të dytë, nisi nazet duke mos u përshëndetur me tifozët në fund të ndeshjeve, kur nuk i pëlqente rezultati apo loja. Në miqësoren e së dielës ndaj Rajo Vajekanos, CR7 u largua nga stadiumi përpara vërshëllimës së fundit, diçka që tifozët nuk harruan ta theksonin, dhe ta quanin me emrin e vërtetë, mungesë respekti. Kjo, sepse trajneri Erik Ten Hag e zëvendësoi në pushim. E pra, a mund të jetë e vështirë për ta kuptuar se përse Kristianon nuk e do as Bajerni, as Paris SG, as Çelsi dhe as Atletiko e Madridit?!
Sfidanti.al