Siti shkel me këmbë Liverpulin, mbetet në garë për titull!

Cilësohej si një nga përballjet më të rrezikshme. Nuk kanë qenë kurrë të lehta duelet mes Mançester Sitit e Liverpulit, por këtë herë ndodhi ndryshe. Kampionët në fuqi të Anglisë triumfuan 4-1 në stadiumin e tyre “Etihad”, madje edhe pse pësuan gol të parët, dhe mbetën në garë për titullin. Epërsia e Arsenalit është ende e dukshme, veçse Siti i ka të gjitha shanset që të pretendojë. Mohamed Salah kaloi në epërsi të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop shpejt në pjesën e parë, por miqtë bënë shumë pak. Ata merituan që të humbisnin dhe këtë e tregojnë statistikat. Vetëm 32 për qind mbajtje topi, vetëm 1 gjuajtje gjithsej në portë, atë të golit, ndaj 11 të Sitit.

Rrjetat erdhën radhazi edhe pse pjesa e parë u mbyll 1-1. Ato u shënuan nga Alvarez, De Brujne, Gyndogan dhe Grilish, madje mund të kishin qenë edhe më shumë. Të besuarit e Guardiolës u dukën si në ditët e tyre më të mira, dhe kjo tregon se nuk kanë ndërmend të dorëzohen para kohe dhe se do të luftojnë deri në fund për titullin. Sa për Liverpulin, ekipi i Klopit rrezikon kualifikimin për në Champions duke qenë 7 pikë prapa vendit të katërt.

Sfidanti.al