Është një ekip që mund të mburret se ia ka bërë “8 me 2” kampiones në fuqi të Anglisë. Kjo skuadër e ka emrin Kristël Palas pasi i ka marrë 4 pikë Mançester Sitit, dhe pas fitores 2-0 në “Etihad” në fazën e parë, e ndaloi në barazim 0-0 në “Selhërst Park” mbrëmjen e djeshme. Një hap i gabuar i ekipit të Pep Guardiolës që i jep shpresë Liverpulit për të dalë kampion. Nëse të kuqtë fitojnë ndeshjet e tyre i lënë pas “qytetarët”. Nuk mjaftoi epërsia e madhe e Sitit në Londër, që mbajti topin 74 për qind, që lëshoi 18 gjuajtje drejt portës (7 Palasi), por vetëm 4 në kuadrat. Nga këto të katërta, dy ishin shtylla të goditura nga Kanselo e De Brujn, por gol nuk pati. Të besuarit e trajnerit Patrik Vieira treguan gjithë karakterin e teknikut të tyre dhe tani janë në mesin e renditjes, pa ndonjë rrezik të madh për të rënë nga kategoria. Çudia e madhe e kësaj ndeshjeje ishte që Guardiola nuk bëri asnjë zëvendësim! Siti kryeson me 70 pikë në 29 ndeshje, ndërsa Liverpuli e ndjek me 66 pikë në 28, duke pasur edhe golaverazhin më të mirë. Dueli direkt në prill do të jetë në stadiumin “Etihad”.
Man. Siti: Ederson, Uolkers, Stouns, Laporte, Kanselo, De Brujn, Rodri, Bernardo Silva, Mahrez, Foden, Grilish.
Sfidanti.al