Ka prishur paktin me “djallin” , ngaqë nuk duhet të thotë asnjë frazë që të ketë helm në përmbajtje! Sinan Idrizi , shefi i futbollit vlonjat, pas fitores pa lavdi me Tiranën, ka dhënë shenja se goja vlonjate mbetet një portë e hapur, e lirë për të qënë “bamirëse” dhe besinike ndaj AND-së. “ Ka disa që paguajnë nën rrogoz ..” – kjo ishte fraza lakonike e shefit vlonjat të futbollit, që tingëllon kumbueshëm për ata që besonin dhe vinin bast se Idrizi nuk do të shiste më helm, por vetëm mjaltë në adresë të atyre që kurdisin orën e pakohë të futbollit. Flamurtari ka fituar çalë-çalë një ndeshje që mund të matet vetëm me pikë, por kane gjetur rastin fatlum për të zbuluar se ata nuk mund ta fitojnë dot titullin kampion, por kanë një garë ku janë të parët!
Flamurtari është i vetmi ekip që paguan taksat, madje paguan sa për të gjithë ekipet bashkë ! Kjo frazë sfiduese e Idrizit, nuk tingëllon e kohës apo e modës në një futboll të mësuar që taskën e paguan vetëm tek tutoret e tij. Për të zbritur këmbët në tokë, tamam në kohën që meritojmë, le të kujtojmë frazën spektakolare të shitësit vlonjat të farave në ndeshjen e fundit: “ Hadje fara, blini fara Babale! “ Nuk mund të mungonin edhe këto lloj farash në lojën që gjoja maskohet me top, atje ku trazohen me sukses të gjitha llojet e farave…
Sfidanti.al