Nuk është se Atletiko nuk ka pasur trajnerë të shquar në të kaluarën. Luis Aragones, Rikardo Zamora, Hoze Vijalonga, Helenio Herrera apo Radomir Antiç janë emra të shquar të stolit, por gjithsesi, asnjëri prej tyre nuk ka bërë për “bardhekuqtë” aq sa Diego Pablo Simeone. Me trofeun e Superkupës së Europës fituar të mërkurën në mbrëmje ndaj Realit, argjentinasi u shkëput i vetëm në kryë të renditjes së teknikëve fitues të Atletikos, me 7 tituj, ndaj 6 të Aragonesit.
Jo vetëm kaq, por Simeone po fiton me një ritëm që nuk ishte parë ndoshta kurrë në historinë e klubit të dytë të Madridit. Shtatë kupat janë fituar në 6 vjet, një sasi trofesh që përpara Simeones ishte arritur në 25 vjet, pra në çerek shekulli. Përveç kësaj, “El Çolo” e ka mundur Realin 9 herë në 27 ndeshje të luajtura, ndërsa Aragonesit iu deshën 30. Gjithsesi, Simeone nuk kënaqet lehtë. “Sidoqoftë, Championsin nuk e kemi fituar ende”, – thotë ai, duke treguar se cili është prioriteti.
Sfidanti.al