Yjet e NBA-së zakonisht e kalojnë kohën e verës duke u marrë me aktivitete në bashkësinë (komunitetin) e tyre, ku më së shumti dominojnë djemtë. Stefën Kërri, kampioni i djeshëm dhe i sotëm i basketbollit amerikan, zgjodhi të bënte diçka pak më të ndryshme.
Ai mori pjesë në një kampus basketbolli vetëm për vajzat në vendin e quajtur Përroi i Arrave (Uolnët Krik – Walnut Creek) në Kaliforni. Në kampus ishin rreth 200 vajza dhe qëllimi i yllit të Golden Stejtit ishte që të nxiste sportin e koshit për femra në SHBA.
Basketbollisti 30-vjeçar kishte ftuar disa figura të njohura femërore si gazetaren në terren të NBA-së, Kerith Bërk, apo ish-trajneren dhe ish-lojtaren e njohur, Xhenifer Azi. “Është fantastike që një figurë si Kërri vjen të nxisë vajzat të luajnë basketboll, – tha ish-medalistja e artë olimpike, Azi, – vazhdimisht, yjet e NBA-së i mbështesin vajzat, por Kërri bën diçka më shumë”.
Sfidanti.al