Si ta deshifrojmë Barcelonën, 718 pasime për 3 … gjuajtje në portë!

Është alarmi që ngrenë në Spanjë pas ndeshjes së Kupës së Mbretit në fushën e skuadrës modeste UD Ibisa (Ibiza). Dominimi i skuadrës së trajnerit Kike Setien ishte i dukshëm, pasi ajo ia fshehu topin vendasve, por edhe këta të fundit ia fshehën portën katalanasve. “Plot 718 pasime për 3 gjuajtje në portë, – titullon “Marka”, – kjo, Barça e Setienit”. Kuptohet që trajneri dashuron futbollin e Krujfit dhe të Guardiolës, por këta trajnerë e bënin Barçën edhe që të gjuante më shumë drejt portës.

Natyrisht, duhet të presim pasi është shpejt, plus që në kupë munguan shumë nga lojtarët kryesorë. Katalanasit mbajtën topin 78 për qind, por gjuajtjet ishin ajo e Rakitiçit dhe dy gjuajtjet për golat e Antuan Grizmanit. Fitorja ishte 2-1 me përmbysje, dhe “blaugranët” rrezikuan të turpëroheshin kur modestët vendas kaluan në avantazh me rrjetën e Pep Kabajesë. Grizman përmbysi pranë fundit, në 72’ dhe në 90’+4, duke shpëtuar Barcelonën nga një shqetësim i madh. “Nuk më pëlqeu aspak ekipi im”, – ishte deklarata e qartë e trajnerit Setien.

Sfidanti.al