Dhuratë një ujk për fitoren në futboll, kjo ndodh në Ulqin dhe habit gjithë botën!

Është padyshim një nga qytetet më të bukur të atij bregdeti. Ulqini cilësohet një nga perlat e Malit të Zi, dhe e të gjithë bregut të Adriatikut, por qyteti i banuar me shumicë shqiptare u bë, këtë herë, lajm i parë në media, për shkak të një ngjarjeje të pazakontë. Në përfundim të një turneu të futbollit në sallë, organizatorët menduan të bënin një dhuratë të veçantë, madje krejt të pamendueshme.

Në sallën e fizkulturës në Krajë, fituesit iu dhurua një ujk i mbyllur në kafaz. Ceremonia u filmua nga një tifoz vendas dhe u hodh në rrjetet sociale, duke bërë bujë të madhe. Nuk dihet të ketë ndonjë rast tjetër kur në një ndeshje sporti të jetë bërë një dhuratë e tillë. Kjo krijoi edhe reaksion në rrjetet sociale, dhe dashamirësit e kafshëve u ankuan për trajtimin e ujkut, ndërsa policia malazeze nisi një hetim, siç lajmëron gazeta “Vijesti” e Podgoricës.

Lajmi u përhap në rajon dhe më gjerë, e u pasqyrua nga media boshnjake, serbe, kroate e të tjera. Siç edhe pritej, reagimin më therës e patën tabloidët e Beogradit, aq më tepër në këtë moment konflikti me Malin e Zi për shkak të ligjit për fenë. “Kuriri” titulloi se “kjo gjë ndodh vetëm në Malin e Zi”. Nuk dihet se në zotërim të kujt ishte ujku, por besohet se kjo do të dalë nga hetimet e policisë.

Sfidanti.al