Si mund të “shërohet” Paris SG? Vetëm nëse Mesi bëhet “gjeli”!

Ikona e futbollit botëror është mësuar të jetë ai lideri në fushë, dhe nuk ka ndërmend të dorëzohet as këtë herë. Pasi u prit me statusin e mbretit në Paris, Lionel Mesi ia dha një shenjë trajnerit të tij, Maurisio Poçetino, kur e paralajmëroi me “gjuhën e trupit” që të mos e zëvendësojë herë tjetër. Dakord, është trajneri që vendos, por me lojtarë të tillë duhet stil tjetër aq më tepër që Mesi edhe tek Barcelona e kishte bërë të qartë se “më mirë të jem rezervë dhe të hyj si zëvendësues, sesa të zëvendësohem duke qenë titullar”.

Nuk dihet nëse Poçetino do të ndryshojë, por është e sigurt se pakënaqësia e Mesit do t’i prishë punë. Nga ana tjetër, argjentinasi e di se lidershipin duhet të dijë ta marrë në fushë, dhe nuk është e sigurt nëse do t’ia dalë me dy “gjela” më të rinj si Nejmar e Mbape. Për më tepër, këta të dy sikur po “kacafyten” në distancë për faktin se nuk ndihmojnë sa duhet njëri-tjetrin. Zgjidhja e Paris SG mbetet ose largimi i Mbapesë sezonin e ardhshëm, ose largimi i Nejmarit, sepse Mesi ka treguar se di të luajë për shokët, mjaft që të lihet në lirinë e talentit të tij në fushë.

Sfidanti.al