Shqiponjat fluturojnë lart, Lacio mund Interin dhe është anti-Juventus!

Tomas Strakosha ishte në portë dhe një tjetër shqiptar në tribunë, Igli Tare. Në fushë, Lacio doli me 11 “shqiponja” dhe arriti të “fluturonte lart”, pak a shumë si titulli i një poeme të një poeti të shquar shqiptar. Fitorja 2-1 ndaj Interit në “Olimpiko” ishte një tjetër konfirmim i sezonit të jashtëzakonshëm të skuadrës së trajnerit Simone Inzagi, dhe i shanseve që kryeqytetasit kanë për titullin kampion. Në fund të fundit, Juventusi mbetet vetëm 1 pikë larg, dhe Lacio është rivali kryesor i kampionëve.

Edhe pse pësoi gol nga Interi në fund të pjesës së parë, me autor Eshli Jangun, skuadra laciale gjeti forcën dhe sidomos u mbështet tek sulmuesi i saj kryesor, jo më kot shënuesi numër 1 i sezonit në Serinë A. Çiro Imobile barazoi shpejt, që në 50’, ndërsa Sergej Milinkoviç-Saviç realizoi rrjetën vendimtare 21 minuta para fundit. Lacio ka 19 ndeshje radhazi që nuk humbet në kampionat, që nga 25 shtatori (e mundur pikërisht nga Interi në “San Siro”), ndërsa Imobile ka 26 gola këtë edicion në ligë. Interi, ndërkaq, për herë të parë zbriti poshtë dy vendeve të para në renditje. Natyrisht, ndeshja ishte shumë e fortë dhe mund t’i kishte të tre rezultatet, por vendasit luajtën më rrjedhshëm. Juventusi kryeson me 57 pikë pas 24 javëve, Lacio ka 56 dhe zikaltërit janë në kuotën 54.

Sfidanti.al