Zidan, gabon nëse mendon se e mund Sitin me këtë Real!

Sezoni i paska dritë-hijet e tij, dhe ulje-ngritjet nuk po munden të shmangen. Reali i vërtetë nuk është as ai që shkëlqeu në “Kamp Nou” në barazimin e La Ligës, as ai që fitoi Superkupën në Arabi Saudite dhe që fitoi derbin në “Bernabeu” po për kampionat. Po ashtu, nuk është plotësisht as ai që tronditi më shumë se një herë në Champions, dhe u ndal këtë të diel në barazim 2-2 nga Selta e Vigos në kryeqytet. Shumë talent, stol i fortë, kryesim i La Ligës (ende), por edhe eleminim në Kupën e Mbretit, si dhe hap fals në “Bernabeu”.

Pas barazimit me Seltën, epërsia ndaj Barcelonës është vetëm 1 pikë, dhe duket habi sesi mund të jetë kaq pak mes një Reali më të ri e më ambicioz, dhe një Barçe më të tronditur nga problemet. Selta zbuloi në Madrid gjithë defektet e skuadrës së Zidanit, sidomos në lojën mbrojtëse. Kaloi e para në epërsi me anë të rusit Fjodor Smolov, dhe e mbylli në avantazh pjesën e parë. Përballoi reagimin e “merengesve”, që solli përmbysjen e rezultatit, falë golave të Toni Krosit dhe Sergio Ramosit me penallti. Publiku u kënaq që Kros, por sidomos Eden Hazar, luajtën shumë mirë.

Nuk qe e thënë të kënaqeshin deri në fund, pasi 4 minuta para vërshëllimës përmbyllëse, Santi Mina gjeti golin e barazimit. Gazeta “Marka” me të drejtë thekson se “nëse Zidani e mendoi këtë formacion për ndeshjen kundër Sitit, nuk i doli mirë”. Formacioni ishte ky: Kurtua, Karvahal, Varan, Ramos, Marselo, Valverde, Kasemiro, Kros (Modriç), Bejl (Mendi), Hazar (Vinisius), Benzema.

Reali e mbajti topin 64 për qind, gjuajti 15 herë drejt portës (5 Selta), por vetëm 4 herë në kuadrat (3), dha dyfishin e pasimeve të miqve, por humbi më shumë topa se ata, dhe epërsinë territoriale e pati thuajse shterpë. Madridi kryeson La Ligën me 53 pikë ndaj 52 të Barcelonës.

Sfidanti.al