Ishte e qartë se nuk do të ishte fushë me lule. Kombëtarja shqiptare e provoi se çdo të thotë të luash me skuadrën më në formë në botë, sot për sot, Spanjën. Disfata në stadiumin e Alikantes ishte e plotë dhe logjike, 0-3, pa asnjë mundësi për ta shmangur, ashtu si në gjashtë ndeshjet e tjera më parë me iberikët, që siguruan kualifikimin për në Botërorin e Rusisë. Në 36 minuta të jashtëzakonshme, spanjollët shënuan me lehtësinë më të madhe 3 gola, me autorë Rodrigon, Iskon e Tiago Alkantarën, dhe mund të kishin realizuar thuajse në çdo aksion të pjesës së parë.
Trajneri Panuçi, pavarësisht optimizmit përpara përballjes, ndjeu sesa e vështirë është kur je përballë magjistarëve të tillë, ndonëse mund të ketë menduar se rezultati dhe loja mund të kishin qenë ndryshe, nëse ndeshja do të ishte luajtur në një kohë tjetër. Tre lojtarë të pezulluar dhe dy të humbur nga dëmtimet janë më shumë kur i ndodhin Shqipërisë sesa Spanjës, ndërsa po për arsye fizike, kapiteni Agolli nuk luajti dot që në fillim.
Me mungesa të mëdha në qendër të mbrojtjes dhe me lojtarë të pamësuar me njëri-tjetrin si Balliu, Memolla, Kaçe, Xhaka e Grezda, shqiptarët ia bënë shumë më të lehtë fitoren vendasve. Kombëtarja ia doli të rrezikonte që në 45 minutat e para, ndërsa u paraqit krejt tjetër pas pushimit.
Hedhja në fushë e Agollit dhe Sadikut, më pas e Latifit, si dhe ulja e ritmit nga spanjollët bënë që ndeshja të ndryshonte plotësisht. Ishte Shqipëria, më e rrezikshmja në 45 minutat e dyta, me rastet që erdhën radhazi në këmbët apo kokën e Sadikut, Latifit apo Ajetit.
Me shifrat 0-3 arritëm të shpëtonim nderin, në fushën e një skuadre ku Maqedonia dhe Izraeli kanë pësuar nga 4 gola, dhe ku vetë Italia e madhe, katër herë kampione e botës, mori 3 gola. Në ndeshjet e fundit, kombëtarja duhet të mbrojë vendin e tretë nga Izraeli, që ka vetëm një pikë më pak sesa ne. Shqipëria luan në Shkodër ndaj Italisë, ndërsa izraelitët presin Spanjën në fushën e tyre.
Sfidanti.al