Di Canio nuk kursehet ndaj Leaos: Prioritetet e tij janë moda dhe muzika

Ish-sulmuesi italian Paolo Di Canio ka lëshuar kritika të forta ndaj ‘yllit’ të Milani, Rafael Leão, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij në fushë dhe fokusin jashtë saj. Në një analizë të tij, Di Canio theksoi se lojtari portugez nuk po tregon më intensitetin e nevojshëm gjatë ndeshjeve. “Po flasim për një futbollist që duhet të bëjë 50 lëvizje për të marrë topin, por nuk bën as gjysmën, përveç rasteve kur është i sigurt se do ta marrë pasimin”, u shpreh ai.

Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me aspektin taktik, por edhe me mentalitetin e lojtarit. Di Canio vuri në dukje se Leão shpesh nuk lëviz për të hapur hapësira për shokët e skuadrës dhe mungon në fazën pa top. “Çdo sulmues, në çdo kampionat, duhet të punojë shumë. Është e vështirë edhe për qendërsulmuesit natyralë, imagjinoni për një lojtar që duket dembel sa herë nuk ka topin”, shtoi ai.

Ish-futbollisti italian shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se Leão është “rehatuar” dhe nuk ka më të njëjtin uri për përmirësim. “Ai është përkëdhelur dhe nuk ka më të njëjtën dëshirë për t’u rritur”, deklaroi Di Canio.

Një pjesë e kritikave lidhej edhe me jetën jashtë futbollit. Sipas tij, aktivitetet si moda dhe muzika po i marrin shumë kohë dhe energji lojtarit. “Prioritetet e tij duket se janë bërë të tjera. Nuk mbaj mend të kem parë kaq shumë video nga sfilata mode apo sesione të gjata regjistrimi muzikor. Nëse një lojtar kalon katër apo pesë orë duke bërë gjëra të tjera, energjia fizike dhe mendore shteron”, theksoi ai.