Njeriu përshtatet me vendin dhe Zhoze Murinjo nuk bën përjashtim edhe pse është karakter shumë i fortë. Trajneri i Mançester Junajtidit, që dikur thoshte se liga spanjolle është më e forta në botë, sot deklaron ndryshe. “Mançester Junajtid do të ishte kampion në cilëndo ligë tjetër të Europës apo të botës, me këtë fillim sezoni, por këtu në Angli, ky fillim nuk do të thotë asgjë”, – ishin fjalët e tij.
Tifozët e “djajve të kuq” mezi po presin titullin e parë që nga viti 2013, kur në stol ishte Sër Aleks Fergusoni, veçse Murinjo vendosi të mos u shtonte presion lojtarëve. “Ende nuk ka ndodhur asgjë, – tha ai, – janë edhe 31 ndeshje për t’u luajtur. Vjet e nisëm më keq, por e përfunduam mirë. Këtë herë e filluam shkëlqyeshëm, por askush nuk e di sesi do të përfundojë”. Prova e parë e vështirë për Mançester Junajtidin do të jetë menjëherë pas ndeshjeve të kombëtareve, në fushën e Liverpulit në 14 tetor.
Sfidanti.al