Seria A me rekord shqiptarët, 8 lojtarë me rroga që arrijnë deri në 2.5 milionë euro!

Me gjasë është një rekord. Një numër i madh lojtarësh shqiptarë bëhen gati të nisin këtë sezon të Serisë A, duke qenë plot 8. Që nga veteranët si Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj, e deri tek më të rinjtë si Ismajli e Bajrami, ata pritet të luajnë një rol të rëndësishëm për ekipet e tyre. Përsa i përket rrogës, më i paguari do të jetë zv. kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj, që do të fitojë 2.5 milionë euro në sezon tek Lacio, plus shpërblimet.

Pas tij, Marash Kumbulla. Mbrojtësi 21-vjeçar është gjithashtu pjesë e një klubi të rëndësishëm si Roma dhe sipas kontratës së vjetshme paguhet nga 2 deri në 2.5 milionë euro në vit. Etrit Berisha u rikthye këtë sezon në elitën italiane pas një viti në Serinë B me Spalin, dhe kontrata me Torinon parashikon një rrogë prej 1.2 milionë eurosh në edicion, kuptohet pa llogaritur bonuset. E njëjta rrogë parimisht për Tomas Strakoshën, portierin tjetër të Shqipërisë, që luan bashkë me Hysajn tek Lacio, ndonëse gardiani i kryeqytetasve mund të ketë shpërblime më të larta.

Një milionë euro në sezon të paktën është edhe paga e mbrojtësit tjetër të rëndësishëm kuqezi, Berat Gjimshiti, njërit nga më të mirët në Europë dy vitet e fundit, por që penalizohet disi pasi është pjesë e një klubi jo shumë të pasur si Atalanta, edhe pse të suksesshëm nga ana sportive.

Më pak fitojnë të tjerët. Ardian Ismajli që kaloi nga Specia tek Empoli, besohet se ka një rrogë rreth 700 000 euro në vit, por nëse do të paraqitet mirë, mund t’ia shtojë shpërblimin vetes. Nedim Bajrami është një debutues në Serinë A, i ngjitur me meritë me Empolin pas një sezoni shumë të mirë në B, dhe për momentin merr gjysmë milioni euro në vit. Së fundmi, Frederik Veseli i cili bën një rikthim. Mbrojtësi 28-vjeçar do të luajë për Salernitanën siç bëri edhe vjet në kategorinë e dytë, e do të fitojë gjithashtu gjysmë milionë euro në sezon. Veseli ka qenë më parë në Serinë A me Empolin duke luajtur 48 ndeshje.

Elseid Hysaj, Lacio, 2.5 milionë euro në sezon

Marash Kumbulla, Roma, 2-2.5 milionë euro në sezon

Etrit Berisha, Torino, 1.2 milionë euro në sezon

Tomas Strakosha, Lacio, 1.2 milionë euro në sezon

Berat Gjimshiti, Atalanta, 1 milionë euro në sezon

Ardian Ismajli, Empoli, 0.7 milionë euro në sezon

Nedim Bajrami, Empoli, 0.5 milionë euro në sezon

Frederik Veseli, Salernitana, 0.5 milionë euro në sezon

Sfidanti.al