“Sarrivederçi”, mediat i japin duart Sarrit pas katastrofës me Sitin

Një humbje e tillë kishte 28 vjet që nuk ndodhte. Çelsi pësoi një katastrofë të vërtetë në fushën e Mançester Sitit, duke u mundur me shifrat 0-6, madje me katër gola të pësuar që në pjesën e parë. Skuadra londineze, që e nisi sezonin me pretendime për titullin, tani rrezikon të mos kualifikohet as për në Champions, dhe ka zbritur në vendin e gjashtë në renditjen e Premier Ligës.

Ishte një sukses i jashtëzakonshëm i Sitit, madje edhe për standardet e larta të vendosura nga trajneri Pep Guardiola. Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Kun Aguero, autor i tri rrjetave. Jo më kot, argjentinasi është shënuesi më i mirë në historinë e klubit me 222 gola gjithsej.

Fitorja bëri që Siti të ngjitej sërish në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Liverpulin, por me golaverazh më të mirë. Gjithsesi, skuadra e Guardiolës ka luajtur një ndeshje shumë sesa ajo e Jurgen Klopit. Duket se gara për titull do të jetë shumë e fortë këtë vit, ndërsa analistët theksuan se Liverpuli duhet të fitojë çdo ndeshje deri në fund të sezonit, për t’ia dalë ndaj një rivali kaq të fortë.

Sa për Çelsin, duket se trajneri Mauricio Sarri, do ta humbasë shpejt postin e tij. Presidenti i Bluve të Londrës, Roman Abramoviç, nuk njihet si njeri me durim të madh, dhe nuk besohet t’ia falë një disfatë kaq të thellë.

Sfidanti.al