Sarri zyrtarisht trajner i Juventusit, do t’i fitojë tifozët?!

Titulli është fituar 8 vjet radhazi, por nuk mjafton. Juventusi dhe tifozët e tij kërkojnë edhe më shumë, ndaj klubi piemontez largoi trajnerin e shquar, Masimiliano Alegri, dhe gjeti një pasardhës që i duket si më i përshtatshmi. Mauricio Sarri do të ulet në stolin e “Zonjës së Vjetër”.

Kjo u njoftua nga drejtuesit në mënyrë zyrtare në rrjetet sociale. “Mirësevjen Sarri, – shkruhet në komunikatën e hedhur në Instagram, – Zyrtare! Mauricio Sarri është trajneri i ri i Juventusit”! Ish-trajneri i Napolit dhe i Çelsit vlerësohet si njeriu i futbollit të bukur, diçka që kërkohet me ngulm nga klubi dhe që është e domosdoshme në futbollin modern, që është kthyer në një biznes global spektakli.

Presidenti Anjeli dhe drejtuesit e tjerë shpresojnë që me Sarrin të merret maksimumi nga Kristiano Ronaldo, i cili vërtet u shpall kampion, por zhvilloi sezonin më të dobët në karrierë të paktën në 10 vitet e fundit. Futbolli sulmues dhe karakteri i fortë i trajnerit të ri shpresohet të shmangin dështime si ai që ndodhi në çerekfinale të Championsit, me eleminimin nga Ajaksi.

Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë për Sarrin në Torino. Tifozët juventinë vërtet janë të lumtur me ardhjen e Ronaldos, por një pjesë e dytë e kanë bërë të qartë se nuk e deshën teknikun 60-vjeçar në stolin e ekipit të tyre të zemrës. Ata thonë se nuk i kanë harruar akuzat dhe talljet e Sarrit me Juventusin, kur ai ishte trajner i Napolit.

Gjithsesi, “Zonja e Vjetër” ka gjetur një trajner të sprovuar dhe me karakter, i vetmi këta vjet në Itali që mundi ta sfidonte deri në fund skuadrën juventine, në duelin për titull. Po ashtu, fitorja e Ligës së Europës me Çelsin, sezonin që sapo u mbyll, tregoi se ai është një profesionist që di të luftojë për trofe.

Sfidanti.al