Lufta e Malvineve apo e Folklendit, Maradona dhe “Dora e Zotit”!

Anglia (e maskuar si Britania e Madhe apo Mbretëria e Bashkuar) dhe Argjentina nuk kanë shkuar aspak mirë me njëra-tjetrën që nga Lufta për Ishujt Malvine (apo Folklend) në 1982. Atëbotë, argjentinasit fillimisht pushtuan ishujt që i kishin anglezët, duke e quajtur një çlirim, por më pas britanikët reaguan dhe e fituan luftën për to.

Katër vjet më vonë, Anglia dhe Argjentina u ndeshën në çerekfinalet e Kupës së Botës në Meksikë, dhe amerikanojugorët fituan 2-1, me një gol me dorë të Maradonës, dhe me golin më të bukur të Botërorëve shënuar po nga Diego. Legjenda e futbollit botëror zbulon se goli me dorë ndaj Anglisë ishte një lloj hakmarrjeje për luftën e humbur në 1982.

“Unë e dija që në atë kohë se shënova me dorë, – thotë Maradona, në një dokumentar që po shfaqet në Britani, – nuk e mendova që më parë, por aksioni ndodhi kaq shpejt, saqë e bëra instinktivisht dhe vijërojtësi nuk më vuri re. Gjyqtari më hodhi një vështrim, pastaj tha “gol”. Ishte një ndjenjë e bukur, një lloj hakmarrjeje simbolike ndaj anglezëve”.

Maradona pohoi se gjatë luftës në 1982, propaganda qeveritare ishte që argjentinasit po fitonin. “Ne si argjentinas nuk kishim përvojë për ushtrinë dhe luftën, – tha ai sinqerisht, – ata (qeveritarët) na thanë se po fitojmë, por e vërteta ishte që Anglia po fitonte 20-0. Ishte kohë e vështirë, ndërsa opinioni ishte sikur do të ndodhte një luftë tjetër”.

Sfidanti.al