Sarri është Fergusoni i Napolit, por Napoli nuk është Junajtidi!

Shumë mendime në kokë për Mauricio Sarrin pas disfatës së rëndë në shtëpi ndaj Romës (2-4), humbje që mund t’ia heqë përfundimisht nga duart titullin e shpresuar, Napolit të tij. Trajneri napolitan nuk e donte këtë disfatë, por edhe e priste, i ndërgjegjshëm se çfarë diference ka mes ekipit të tij dhe Juventusit kampion.

“Lufta për titull? – tha ai, kur u pyet, – i përket vetëm Juventusit, pasi është në një planet tjetër. Ne jemi përpjekur dhe do të përpiqemi deri në fund t’ia bëjmë jetën të vështirë bardhezinjve, por ata janë superiorë në çdo këndvështrim”.

Nuk ia vlen të krahasojmë tani dy skuadrat, ku qartazi është Juventusi më cilësor dhe më sasior, as diferencën e jashtëzakonshme në përvojë, por po ashtu as dallimin financiar, ku rroga mesatare e një lojtari tek Juvja është 6.31 milionë dollarë në sezon, ndërsa tek Napoli mezi arrin tek 3.14 milionë.

Të gjitha këto, natyrisht, që nuk i ngushëllojnë tifozët napolitanë, të cilët ëndërrojnë “skudeton” si në kohën e Maradonës, por për fat të keq sot nuk ka më Maradona, lojtarë që të fitojnë të vetëm një kampionat apo një Botëror. Tifozët duhet të nxisin presidentin De Laurentis që të mbajë fort Sarrin (nëse ky pranon), duke e kuptuar se ai është Sër Aleks Fergusoni i tyre. Ndryshimi i vetëm është që Napoli nuk është Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al