Salah mendon vetëm për Liverpool

Mohamed Salah po e merr “për dorë” skuadrën e tij, Liverpool, këtë sezon me “Faraonin” egjiptian, që ka shënuar plot 15 gola e ka dhuruar 12 asistime në 21 sfidat e para të këtij sezoni, për të mbajtur “Të Kuqtë” në vendin e parë, si në Premier League, ashtu edhe në Champions. Mirëpo, duket se aventura e tij në “Anfield” do të mbarojë së shpejti, pavarësisht se kundër dëshirës së tij. Kontrata e 32-vjeçarit skadon në muajin qershor dhe deri më tani nga klubi nuk është bërë qoftë edhe lëvizja minimale, për të mbajtur në “shtëpi”, heroin e këtyre 7 viteve të fundit, me këtë të fundit që pas fitores ndaj Manchester City, ku regjistroi 1 gol e 1 asist u shpreh se kjo mund të ishte hera e fundit që përballet me “Qytetarët” në “Anfield”. Megjithatë duket se për klubin këto thënie nuk kanë rëndësi aspak, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave britanike, Salah po qëndron në pritje të drejtuesve, teksa mësohet se është i gatshëm të pranojë qoftë edhe një rinovim 1-vjeçar me fanllën e “Të Kuqve”.

sfidanti.al