Sa e dobët kjo Barça! Kur nuk mjaftojnë as Mesi e Ter Shtegeni!

Dekada më parë, në romanin e tij “Skënderbeu”, shkrimtari ynë Sabri Godo, vinte një fjali në gojën e Sulltan Muratit II. “Deveja nuk do që të pijë”, ishin fjalët e Sulltanit, dhe shpjegonte se ushtarët nuk kishin vullnet dhe dëshirë për të pushtuar muret e Krujës. Edhe brezi i sotëm i Barcelonës po ngjan me azapët, akënxhinjtë e jeniçerët otomanë të asaj kohe, pasi karriera e gjatë dhe e suksesshme duket se i ka ngopur.

Pike, Buskets apo Zhordi Alba janë disa “deve që nuk duan të pinë”, ndërsa ekipi i trajnerit Kike Setien u duk larg përsosmërisë në fushën e Valencias. Disfata 0-2, jo vetëm që mund ta bëjë Realin të shkëputet në +3 në krye të La Ligës, por edhe krijoi një lloj mendimi se kjo Barcelonë e ka mbyllur ciklin. Në të njëjtën kohë që Reali i Valverdes, Hazarit, Mendisë, Kurtuasë e Rodrigos po hap një cikël të ri. Në “Mestaja”, të vetmit që nuk bënë figurë të keqe ishin të përhershmit LioneL Mesi dhe Ter Shtegen. Kapiteni, sidomos në pjesën e dytë, reagoi dhe krijoi rreziqe të mëdha në portën e vendase, edhe pse nuk u shënua gol. Ter Shtegen priti penallti, dhe ndaloi gol të sigurt, por as kjo nuk mjaftoi. Kampionati është i gjatë, por ndoshta pas 2 titujve radhazi, katalanasit do t’ia lenë radhën madrilenëve të Zidanit.

Sfidanti.al