Dihet përgjithësisht se Karl-Hainc Rumenige, njeriu nr.1 te Bajerni i Mynihut, e thotë hapur atë që ka në mendje, sidomos, kur është fjala për trajnerët. Tanimë është vendosur se Niko Kovaç do të vazhdojë ta drejtojë ekipin bavarez edhe sezonin e ardhshëm dhe në këto kushte Rumenige, i pyetur për ambiciet e Bajernit në sezonin 2019/20, i deklaroi një mediumi gjerman:
“Fillimisht, ne duam që të dalim të parët në Bundesligë për herë të tetë me radhë. Sidoqoftë, klubi ynë është i etur për trofeun e Ligës së Kampioneve, sepse për herë të fundit ne në krye të Evropës kemi qenë më 2013. Në historinë e Bajernit të Mynihut që është e gjatë 119 vite, ne vetëm një herë e kemi fituar kurrorën e trefishtë dhe këtë e kemi bërë më 2013. Ne e dimë se kjo është diçka e vështirë, por synimi ynë është kurrora e dyfishtë në Gjermani (Bundesliga dhe Kupa) dhe trofeu i Ligës së Kampioneve. Kjo është ajo që ne presim nga trajneri ynë, Niko Kovaç”, deklaroi Rumenige.
Sfidanti.al