Ronaldo, Ramos, Bejl, Reali gjen vetveten në “stërvitjen” me APOEL-in!

Kristiano Ronaldo u kthye në një ndeshje zyrtare që pas pezullimit dhe shënoi dy gola. Sergio Ramos realizoi në mënyrë spektakolare, ndërsa Garet Bejl mori pjesë në të tre golat. Ky është përshkrimi më i drejtë për suksesin e Realit të Madridit në Champions ndaj APOEL-it nga Qipro, diçka që vjen si “oksigjeni” në momentin më të vështirë.

“Ndoshta na mungon një “9””, – pohoi Zidan përpara takimit, veçse për këtë i mjafton të ketë në fushë “7”-ën. Prej kohësh Ronaldo është kthyer në një qendërsulmues dhe kur ai është në tapet, golat nuk janë problem, pavarësisht formës të luhatshme të Karim Benzemasë dhe largimit të Alvaro Moratës.

Kapiteni Ramos këtë herë nuk ishte “zjarrfikësi” apo “ndihma e shpejtë” e minutave të fundit. Goli i tij erdhi në minutën e 61-të, me një roveshatë spektakolare, diçka që pritet nga yjet e sulmit, por që mund ta bëjë edhe një yll i mbrojtjes si ai.

Garet Bejl doli nga fusha përpara kohe, por reagimi i tifozëve në pjesën më të madhe ishte me duartrokitje. Kishte vetëm pak vërshëllima për uellsianin fisnik që pati meritë në të gjithë golat e Realit. Edhe për të, loja e mirë erdhi në kohën e duhur, atëherë kur po kritikohej më shumë.

Duke u kthyer tek Ronaldo, portugezi ishte si gjithnjë vetvetja. Tepër ambicioz, shumë efikas, jo me shumë “barrë” mbi supe si Mesi tek Barcelona, por edhe me shumë nerva dhe me ndihmën e penalltive. Ai iu vërsul pa të drejtë gjyqtarit që mbulonte vijën fatale dhe që nuk i quajti një “gol”, pasi topi nuk e kishte kaluar vijën e portës.

Në grupin H të Realit, fitore arriti edhe Totenhemi, 3-1 ndaj Dortmundit, në një përballje të fortë në “Uembli”, ku Harri Kejn e tregoi veten një sulmues “race” edhe në Champions, por ku Obamejangut iu anulua një gol pa të drejtë.

Në ndeshjet e tjera, Siti shkatërroi Fejënordin në Holandë, Napoli u mund në Ukrainë nga Shahtjori, Liverpul e Sevilja dolën barazim 2-2, ndërsa Beshiktashi fitoi në fushën e Portos.

Grupi E: Liverpul-Sevilja 2-2, Maribor-Spartak Moskë 1-1; Grupi F: Fejënord-Man. Siti 0-4, Shahtjor Donjeck-Napoli 2-1; Grupi G: Porto-Beshiktash 1-3, RB Lajpcig-Monako 1-1; Grupi H: Real Madrid-APOEL Nikozia 3-0, Totenhem-Dortmund 3-1.

Sfidanti.al