Roma pa mëshirë për Konten, Çelsi e sheh nga poshtë në Champions

Është shenjë e keqe kur pëson gol që pas 39 sekondash lojë. Gjithsesi, kur humbet 0-3 nuk mund të thuhet se të ndodhi nga një shenjë e keqe apo mungesa e fatit. Çelsi u dërrmua me këtë rezultat në stadiumin “Olimpiko” të kryeqytetit të Italisë, me Romën që hodhi kandidaturën për kualifikim bindës, tashmë në krye të grupit në Champions. Stefan El Sharaui shënoi dy gola, Diego Peroti shtoi një tjetër me një gjuajtje nga distanca e largët, ndërsa Blutë e Londrës treguan se ky sezon nuk është si ai i kaluari, dhe se nuk i kanë forcat të luajnë çdo tre ditë. Nëse në kampionat, kanë dy ndeshje që fitojnë për të mbrojtur trajnerin Konte, nuk patën forcë ta bënin në Romë.

Po aq keq sa Çelsi, por me pozicion më të rrezikuar, Atletiko e Madridit. Barazim 1-1 me Karabakun, në fushën e vet, në “Uanda Metropolitana”, stadium super modern që nuk po i sjell fat spanjollëve. Me Ansi Agollin në formacion, Karabaku  azer përballoi një nga ekipet më të fortë dhe më të frikshëm të Europës, gjysmëfinalist i vjetshëm dhe dy herë finalist në 4 sezonet e fundit në Champions. Miçel kaloi në avantazh miqtë, pastaj Partei barazoi, ndërsa të dy ekipet e mbyllën ndeshjen me nga një lojtar më pak.

Në grupin D, barazim për dy gjigandët, Barcelonën dhe Juventusin. Katalanasit vendosën të mos lodheshin shumë në Pire ndaj Olimpiakosit (0-0), ndërsa italianët e patën shumë të vështirë në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës. Përfundoi 1-1, me gol të vendasve në 20’ (Bruno Sesar) dhe barazimin e Higuainit në 79’.

Bajerni vazhdon ndjekjen e Paris SG në grupin B, me fitoren 2-1 në Skoci ndaj Sëlltikut, duke mos njohur rezultat tjetër përveç fitores nën drejtimin e trajnerit të ri, Jup Hajnkes. PSG mposhti 5-0 Anderlehtin në Francë, ku Nejmar shënoi golin e dytë, një herë realizoi Verrati dhe tri herë Kurzaua.

Së fundi, në grupin A, Mançester Junajtid sërish fitoi, 2-0 ndaj Benfikës në “Old Traford” dhe kryeson me 12 pikë të plota pas 4 ndeshjeve. CSKA e Moskës i ktheu “reston” Bazelit në Zvicër, por jo plotësisht, pasi e mundi 2-1, ndërsa në Rusi ishte mposhtur 0-2.

Sfidanti.al