Roma mund Juven, dhe “Olimpiko” përshëndet kapitenin Toti!

Nuk besohet se do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe, por tifozët romanë padyshim që do të jenë shumë më të lumtur se më parë, ndërsa ata napolitanë, shumë më të mërzitur. Roma e mundi Juventusin me shifrat bindëse 3-1 në stadiumin “Olimpiko”, i dha vetes vetëm 10 për qind shpresë se mund ta fitojë kampionatin, ndërsa ia hoqi ndoshta shpresat e fundit Napolit se mund të arrijë vendin e dytë, pra kualifikimin drejtpërdrejt në Champions.

Lemina shënoi i pari për miqtë, por më pas skuadra e Spaletit bëri ndeshjen të vetën me golat e kapitenit në fushë, De Rosi, në pjesën e parë, dhe të El Sharauit e Naingolanit pas pushimit. Juventusi luajti me 5 ndryshime nga formacioni i zakonshëm, pasi trajneri Alegri po mendon për finalen e Kupës së Italisë të mërkurën ndaj Lacios, dhe për fundin e sezonit tepër të ngarkuar, ku nuk mungon as finalja e Championsit në 3 qershor.

Pati edhe pak lavdi, vërtet fare pak, për kapitenin ende të vërtetë Framçesko Toti, të cilin Spaleti nuk e pati problem ta hidhte në fushë vetëm në minutën e 93-të. Numri 10 ndoshta nuk e mori asnjëherë topin në këmbë, por mori gjithë ovacionin e nxehtë të publikut të tij në “Olimpiko”.

Pas 36 javësh, Juventus kryeson renditjen e Serisë A me 85 pikë, Roma ka 81, ndërsa Napoli 80, me skuadrat e tjera të distancuara ndjeshëm.

Sfidanti.al