Fituan kampionët edhe pse fare mirë ndeshja mund të kishte dalë në barazim, apo të kishte fituar Roma. Ishte e fortë përballja Juventus-Roma në Torino, vendosur me golin e minutës së 18-të nga Mehdi Benatia. Më shumë përvojë dhe më shumë fat për piemontezët e trajnerit Masimiliano Alegri, që gjithnjë kanë më shumë alternativa në dispozicion sesa kundërshtari.
Roma luajti shumë mirë dhe pati më shumë raste sesa vendasit, e detyruar natyrisht edhe nga rezultati. Disa nga lojtarët e saj mund të kishin shënuar, sidomos Shik në fund kur topi iu dha gabimisht nga Benatia, por u ndal nga portieri polak, Shezni, në një pritje të jashtëzakonshme. Ky sukses bëri që juventinët të mos mbeten shumë prapa Napolit (44 ndaj 45), ndërsa Roma të ketë vetëm 38 pikë, por edhe një ndeshje më shumë për të luajtur. Duket se titulli në Serinë A do të diskutohet nga disa skuadra, Napoli, Juventus, Inter, Roma dhe Lacio.
Sfidanti.al