Ditën e sotme, ndërsa “Mbreti i futbollit” mori dozën e parë të vaksinës anti-Kovid, një “binjak” i tij i golit e mbërriti në “Olimpin” e më të mëdhenjve të rrjetës. Kristiano Ronaldos vetëm tani iu dha kënaqësia për të qenë baraz me Pelenë, pasi kapërcimi që i bëri më herët u quajt i paligjshëm. Golat “u rinumëruan” sepse u gjetën “parregullsi” dhe rezultati është 767 për Pelenë dhe 767 për CR7-ën pasi i shënoi Specias në emër të Juventusit në Serinë A.
Ky “rinumërim” golash bëri që të ndryshonte renditja edhe më lart, sepse Kristiano nuk njihet më si rekordmeni absolut i historisë. Jo, 767 janë më pak se 772 të Romarios dhe sidomos më pak sesa 805 të sulmuesit çek, Jozef Bican. Për të kapur majën, Ronaldos i duhen edhe 38 goditje në shenjë, gjë që ai mund ta bëjë sezonin e ardhshëm nëse do të jetë ende në formë të mirë fizike. Goli ndaj Specias nuk është se ishte tepër i rëndësishëm për Juventusin, edhe pse vlejti mjaft për autorin.
Fitorja 3-0 ishte vendosur në “kasafortë” me rrjetat e Moratës në 62’ dhe Kiezës në 71’, pasi Specia rezistoi mirë për më shumë se një orë. Trajneri Andrea Pirlo bëri zëvendësime të goditura, hodhi në fushë forca të freskëta dhe arriti fitoren. Morata hyri në 61’, ashtu si Bernardeski, dhe shënoi një minutë më vonë. Juventusi është në vendin e tretë në renditjen e Serisë A me 49 pikë ndaj 52 të Milanit e 56 të Interit.
Sfidanti.al