Kritika e Mateusit: Mustafi, Kolashinac e Huntelar, një turp!

Ish-kapiteni i kombëtares së Gjermanisë dhe i Bajernit, nuk mundi të përmbahej kur mori vesh se shkaktarë për shkarkimin e trajnerit të Shalkes, Kristian Gros, ishin tre lojtarët e ardhur në janar. Mateusi bën analizën e tij në opinionin në “Skaj”, duke theksuar se “fakti se 3 të sapoardhurit, Huntelar, Mustafi dhe Kolashinac, udhëhoqën rebelimin e lojtarëve, i përshtatet shumë mirë kaosit tek Shalke”.

Duke vazhduar sulmin nga këtyre lojtarëve të “Bluve Mbretërorë”, Mateusi shtoi se “njerëzit prej këtyre të treve prisnin shumë, për shkak të gjoja klasit të tyre, pra që ata ta merrnin përdore ekipin, por ata nuk kanë treguar asgjë deri tani, ose sepse nuk duan të luajnë, ose sepse nuk kanë formën e duhur”. Ish-kapiteni gjerman thotë se treshja e lojtarëve me shumë mundësi do të largohet në fund të sezonit, duke mos lënë asnjë gjurmë. Gjithsesi, ai mendon se Shalke e ka ende një shans të fundit për shkak të gabimeve të Maincit. Klubi i Gelsenkirshenit rrezikon seriozisht rënien nga Bundesliga.

Sfidanti.al