Dikur kishte një epitet shumë domethënës, “më i bukuri në botë”. Ato kohë të lavdishme janë pas, por Seria A vazhdon ta ketë magjinë e saj, sidomos për tifozët në Shqipëri, dhe sot nis sezoni i ri, me ndeshjen Inter-Xhenoa në orën 18:30 në “San Siro”. Kampionët janë mjaft i ndryshëm në krahasim me vjet, pasi janë larguar Lukaku e Hakimi, ndërsa Lautaro Martinez është i pezulluar e Aleksis Sançez i dëmtuar. Edin Xheko është sulmuesi i vetëm, mbështetur nga kroatët Brozoviç e Perishiç, nga Barela, Çalhanoglu e Sensi.
Kërkohet fitore, por ky ekip disi i tjetërsuar mbetet një mister, ndërsa trajneri Simone Inzagi ka ndjenja të forta në start. “Për mua dhe lojtarët është një emocion i madh që rinis kampionati dhe sidomos që do të kemi sërish njerëzit në stadium, – tha ai, – do të kemi një sfidë aspak të lehtë ndaj një skuadre shumë të mirë, me një trajner me përvojë, që më ka stërvitur edhe mua. Le të tregojmë punën që kemi bërë këto 45 ditë dhe të arrijmë fitoren”.
Me mjaft interes edhe dalja në fushë e Lacios në 20:30. Trajneri i ri Mauricio Sarri ka krijuar besim të madh tek tifozët pas largimit të Inzagit tek Interi. Nga lojtarët shqiptarë në fushë pritet Elseid Hysaj, ndërsa portieri Strakosha besohet se e nis nga stoli. Përballë kryeqytetasve do të jenë vendasit e Empolit, ku spikat mesfushori shqiptar Nedim Bajrami. Lojtari 22-vjeçar kërkohet nga kombëtarja kuqezi, dhe pritet si titullar për ekipin e sapongjitur në Serinë A.
“Le të mendojmë për ndeshjen pasi ndaj Empolit nuk do të jetë e lehtë, – thotë Sarri, – kam qenë trajner i kësaj skuadre vite më parë dhe e vlerësoj lart. Për formacionin vendosim në fund. Më pyesni për Pedron, për transferimet, por unë mërzitem nga këto diskutime. Si trajner dua të flas për ndeshjen, ndryshe do të isha drejtor sportiv”.
Një përballje me emocione në Torino, gjithashtu në 20:30, ku vendasit me të njëjtin emër presin Atalantën. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, si përherë do të jetë titullar për ekipin nga Bergamo, ndërsa portieri kuqezi, Etrit Berisha do të jetë në stol për Torinon.
Sfidanti.al