Futbollistët e përzgjedhur kanë përfunduar angazhimet me përfaqësueset dhe tashmë kanë veshur sërish uniformët e skuadrave të tyre. Ndërkohë, mediat italiane kanë publikuar formacionet e mundëshme për ndeshjet e javës së 13-të të Serisë A dhe disa prej futbollistëve tanë vazhdojnë ta ruajnë një vend titullari, apo janë të gatshëm për trajnerët e tyre.
Në Udineze – Napoli, Hysaj do të jetë sërish titullar, ndërsa në transfertën ndaj kampionëve të Italisë, Peskara do të ketë nga minuta e parë kapitenin Memushaj dhe i gatshëm në pankinë për trajnerin Masimo Odo do të jetë edhe Rei Manaj. Berisha në portë, në Atalanta – Roma, ndërkohë që bie në sy kthimi i Ajetit në stol pas një dëmtimi, pra edhe për të mund të ketë disa minuta në Krotone. Portjeri 21 vjeçar, Tomas Strakosha mbetet zëvendësues i Marketit tek Lacio dhe tek Empoli, Veseli tashmë është stabilizuar në formacion dhe pritet të jetë që në fillim ndaj Fiorentinës.