Rejës tani i duket vetja si trajneri i një skuadre të vërtetë futbolli!

Nuk ia vlen të bësh gjithnjë kritikë thjesht për t’u dukur si profesionist. Ka ndeshje që duhen shijuar si një kënaqësi e jetës, dhe trajneri Edi Reja deshi thjesht të ishte i lumtur pas fitores në Moldavi. Sukses me shifra të thella e me dominim, dhe kombëtarja shqiptare u ngjau skuadrave të mëdha, të paktën për një mbrëmje.

“Skuadra luajti një ndeshje të vërtetë, pas pushimit ishte e lehtë, pasi Moldavia ishte e demotivuar, – tha ai, – veçse në pjesën e parë, kur ishte ndeshje e vërtetë, ishim aty ku duhet. Ishte ajo që prisja”.

Shqipëria s’kishte shënuar kurrë 3 gola në pjesën e parë në një ndeshje eleminatore. “Përtej atyre që shënuan golat, skuadra tregoi se është skuadër, – deklaroi italiani, – Pra, tani mund të themi se kemi një skuadër të vërtetë. Luajmë mirë, ndihmojmë njëri-tjetrin. Po arrijmë atë nivel që unë kisha ndërmend, po bëjmë gjënë e duhur, dhe duhet t’i falenderoj për bashkëpunimin. Kemi edhe një staf teknik të jashtëzakonshëm, edhe 3 ndihmësit që i njihja që më parë, por edhe të tjerët, si Salihi e Bulku”.

Keqardhje vetëm që Kumbulla e Selahi luajtën shumë pak minuta. “Kumbulla dhe Selahi janë dy lojtarë të talentuar, të ditëlindjes 1999, dhe që luajnë në Serinë A, e në kampionatin holandez, dhe janë titullarë në ekipin e parë, – ishte përgjigja e trajnerit, – Duhet të shohim edhe për të ardhmen. Ata nuk luajtën shumë, por tashmë janë tanët, janë pasuri e jona për të sotmen dhe për të ardhmen”.

Sfidanti.al