Turqia, edhe barazimi ndaj Francës në Paris ishte “ushtarak”!

Nja 50 vjet më parë, në kulmin e Luftës së Vietnamit, gazetari amerikan Piter Arnet, botoi me shumë kënaqësi dhe thumbim shprehjen e një majori amerikan për fatin e qytetit vietnamez Ben Tre. “U desh të shkatërronim qytetin që ta shpëtonim atë”, – ishin fjalët e majorit që hynë në histori, por në Amerikë më shumë morën zët Arnetin që i botoi sesa ushtarakun që i tha.

Sot është e kundërta, dhe në Paris, Londër dhe Berlin, zemërohen shumë e bëjnë gati dënimet kur futbollistët e kombëtares turke festojnë golat me përshëndetje ushtarake, në mbështetje të ushtrisë së tyre që lufton kundër kurdëve në Siri. Ushtria turke natyrisht po shkatërron qytetet kurde për t’i shpëtuar dhe kjo bën përshtypje negative, siç nuk ndodhte kur ushtria amerikane bënte të njëjtën gjë.

Gjithsesi, zemërimi në Paris, Londër apo Berlin, nuk do t’i ndalojë futbollistët turq që të mbështesin ushtrinë e tyre, kjo do të ndodhë shumë kohë më vonë, kur Turqia të jetë një shtet më i zhvilluar, më qytetar, me tregti e industri më të madhe, dhe me njerëz më të lirë për të thënë mendimin e vet. Gjithsesi, kur një personalitet si Piter Arnet është hequr nga puna radhazi, prej Asoshiejtid Presit (Associated Press – AP), SiBiEs (CBC), SiEnEn (CNN) dhe EnBiSi (NBC), çfarë mund të mendohet për njerëz shumë më të thjeshtë, me shumë më pak kulturë sesa ai, pavarësisht se mund të jenë futbollistë profesionistë që kanë miliona euro apo dollarë nëpër banka?!

Sfidanti.al