Takimi mes tyre në Durrës ishte i planifikuar që më parë. Armand Duka dhe Edi Reja i dhanë dorën e fundit marrëveshjes për një kontratë të re në stolin e Shqipërisë, ndërsa kushtet mbeten po ato që ishin më parë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, siç e ka zakon, as nuk deshi të vepronte në emocion e sipër, dhe as nuk i la gjërat të zvarriteshin.
Përfundimi ishte akordi me trajnerin italian, për një periudhë të dytë në kombëtare, që do të përfshijë Ligën e ardhshme të Kombeve të Europës, dhe eleminatoret e Kupës së Botës. Mërzitia e vetme e Dukës ishte për barazimin me Andorrën, rezultat që pohoi se e përjetoi keq.
Kontrata do të ketë një klauzolë, sipas së cilës Reja do të drejtojë përfaqësuesen në finalet e Botërorit, nëse Shqipëria kualifikohet, ndryshe palët mund të ndahen në mars 2022, kur përfundojnë eleminatoret e zonës europiane. Shifrat janë 22-23 000 euro në muaj, dhe totali arrin në 600 000 euro, ndërsa do të shtohet edhe me rreth 100 000 euro të tjera, nëse Reja do të jetë në detyrë deri në qershor 2022. Shpërblimi në rast arritje të Botërorit është ai i De Biazit, 200 000 euro.
Burime pranë Dukës bëjnë me dijë se nuk ka pasur asnjë vështirësi për t’u marrë vesh nga ana financiare. Informacioni është se me Rejën ka qenë shumë më e lehtë sesa me De Biazin, i cili pati pretendime për rrogën sidomos pas kualifikimit për në Europian. Shqetësimi i vetëm i të dyja palëve mbetet mosha e trajnerit, pasi ai sot është 74 vjeç, dhe as Federata dhe as vetë Reja nuk dëshirojnë të bëjnë plane afatgjata, që mund të prishen nëse shëndeti nuk do të ishte i duhuri, gjë që mund t’i pengonte seriozisht.
Sfidanti.al