Kanë kaluar vetëm pak ditë që kur u bë pjesë e këtij klubi të madh. Dakord, Rej Manaj u mor për ekipin B të Barcelonës, por nëse je aty, shanset mund t’i kesh edhe më të mëdha. Kështu edhe po ndodh dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare pati fatin që të stërvitej në krah të lojtarit më të madh të botës, Lionel Mesit, ndërsa katalanasit bëhen gati për ndeshjen e Kupës së Mbretit.
Trajneri Kike Setien ka mungesa të mëdha në sulm, dhe po ashtu duhet të bëjë rotacion, ndaj grumbulloi Manajn, i cili mund të ketë shansin që debutojë me fanelën e lavdishme “blaugrana”. Luis Suarez është i dëmtuar, Usman Dembele është kthyer nga lëndimi, por nuk është në formën e duhur, ndërsa Antuan Grizman apo edhe Mesi mund të shlodhen. Bashkë me Manajn ishin edhe lojtarë të tjerë të Barçë B, si Injaki Penja, Kojado, Riki Puig apo më i njohuri, Ansu Fati.
Manaj bëri debutimin për Barcelonën B pak ditë më parë, duke luajtur në ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Eheas në kategorinë e tretë. Golat u shënuan nga Monçu e Saverio, ndërsa trajneri Garsia Pimienta i dha mundësi edhe sulmuesit shqiptar që të aktivizohej.
Sfidanti.al