Pas gati një viti ka mundur ta vendosë në shina ekipin e tij. Duken shumë të largëta ditët e verës kur Reali mundej 3-7 nga Atletiko, po ashtu mposhtej nga Bajerni, dhe larg ndihet edhe fillimi i vështirë i sezonit. Fitorja 4-0 në fushën e Saragozës në Kupën e Spanjës tregoi edhe një herë se Madridi është kthyer dhe se kërkon gjithçka, ndërsa mediat po theksojnë se Reali kërkon çdo trofe, dhe se ka një seri ndeshjesh pa humbje.
“Jemi mirë, – ishin fjalët e Zinedin Zidanit, – duam që të vazhdojmë t’i bëjmë gjërat mirë. Çdo ndeshje është një provim për ne. Këtë herë shënuam shpejt dhe çdo gjë shkoi mirë, në çdo aspekt”. Trajneri francezi vlerësoi Toni Krosin duke thënë se “jam i lumtur për të, është një shembull për të gjithë, ndonëse fitorja është e gjithë ekipit”. Lavdërime edhe për Lukas Vaskezin, që më përpara kaloi një periudhë të vështirë. “Besoj tek Lukasi pasi është një djalë i shkëlqyer që jep gjithçka në fushë, – u shpreh Zizuja, – ka gjithë dashamirësinë time. Ai është një djalë i Akademisë së klubit, por që e fiton vendin me meritë. Jam i lumtur për golin e tij, por edhe për golin e Vinisiusit dhe të Karimit”.
Sfidanti.al