Presidenti zikaltër, Stivem Çang, deklaron qartë se sezoni i ardhshëm nuk është medoemos një vit kur ekipi duhet të mbrojë me patjetër titullin kampion në Serinë A. Interi që mbylli edicionin nën drejtimin e Antonio Kontes ishte padyshim skuadra më e fortë në Itali, ndërsa realizoi dëshirën e tifozëve duke kthyer “skudeton” pas 11 vjetësh, veçse kriza ekonomike ka krijuar përparësi të tjera. Së pari, duhet ruajtur vazhdimësia e klubit, duhet të sigurohet mbijetesa ekonomike, dhe në plan të dytë janë titujt. Pa i hyrë llogarisë sesi i ka punët vetë Çangu, sesa mirë apo sa keq kanë punuar bizneset e tij (pra, sa është ai vetë fajtor për situatën), po shikojmë që koncepti i tij ndahet edhe nga pronari i Totenhemit në Angli, Daniel Levi. Presidenti i Spërsave hodhi poshtë kërkesat e Antonio Kontes duke mos e pajtuar si trajner pasi italiani kërkoi 100 milionë paundë stërlina për të shpenzuar gjatë verës që të forcojë ekipin. Pa një bazë tifozësh të tillë si Mançester Junajtidi apo Reali i Madridit, klubi londinez nuk mund të bëjë aventura.
Sfidanti.al