Paratë ishin kryesoret, Vajnaldumi “tradhëton” Barçën dhe zgjedh PSG-në

Quhej punë e përfunduar, dhe ai u largua me shumë emocione nga “Anfildi”, pas një ceremonie të shkëlqyer të organizuar nga shokët e skuadrës dhe trajneri Jurgen Klop. “Kamp Nou” pritej të ishte shtëpia e re e Georginio Vajnaldumit, aq sa Bajerni i Mynihut ishte tërhequr edhe pse kishte shfaqur më parë interesim. Ish-lojtari i Liverpulit dhe pjesëtar i ekipit të Holandës ka zgjedhur Paris SG, ndonëse u mendua se do të shkonte tek Barcelona. Vajnaldum do të fitojë një rrogë mbi dy herë më të madhe në Francë sesa në Katalonjë dhe pritet të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare menjëherë pasi të kalojë vizitën mjekësore. Ja pra që sërish është ana financiare që vendos për zgjedhjen e një futbollisti, ndonëse të tillë si Haland apo Mbape kanë deklaruar se më mirë shkojnë diku ku do të fitojnë trofe dhe do të luajnë në një ligë më të fortë. “Gini” Vajnaldum bën pjesë në “llojin” tjetër.

Sfidanti.al