Realit nuk i dalin llogaritë për Kristianon, si i bëhet për Mbapenë?!

Kur ai mbante veshur fanelën madrilene, rrogën e kishte 21 milionë euro në sezon. Atëherë dukej shumë, por Juventusi i dha Kristiano Ronaldos 31 milionë në vit, një shifër që e bën të vështirë një rikthim të mundshëm. Jo vetëm kaq, por vështirësia e një transferimi mbrapsht të portugezit në “Santiago Bernabeu” shtohen për shkak të situatës financiare të futbollit në pandemi, dhe për shkak të planeve ambicioze dhe të kushtuesme që ka klubi spanjoll.

Reali ka humbur shumë nga kriza e koronavirusit, ndërsa ka edhe barrën e një kredie prej 570 milionë eurosh për modernizimin e stadiumit. Të ardhurat vjetore ishin deri në 800 milionë euro para Kovid 19-ës, ndërsa tani kanë rënë në 617 milionë euro. Duke qenë se Madridi paguan 448 milionë euro rroga në vit për lojtarët, një kthim i Ronaldos do ta rëndonte edhe më shumë bilancin. Rroga prej 31 milionësh e Kristianos do të ishte 50 milionë me taksat që ka Spanja. Për më tepër, presidenti Florentino Perez ka plane të mëdha për Mbapenë ose Halandin, apo ndoshta për të dy bashkë. Veçse “paraja nuk pritet me gërshërë”, ndaj duhet të ketë prioritete.

Sfidanti.al