“Flluska e sapunit” plasi, të paktën për momentin. Ata që prisnin nga Reali një ofensivë “atomike” për blerjet duhet të kënaqen së pari me sulmuesin e ri nga Serbia, Luka Joviç. Talenti 21-vjeçar u kërkuar nga Zinedin Zidan dhe u arrit të merrej nga klubi, falë marrëveshjes me Ajntrahtin e Frankfurtit në bazë të 60 milionë eurove dhe kalimit në Gjermani të sulmuesit Mariano Diaz, ashtu siç kishin kërkuar gjermanët. Benfika do të marrë 20 për qind të shumës (12 milionë euro), sipas marrëveshjes me Frankfurtin.
Ardhja e Joviçit është një goditje për shpresat për të marrë Mbapenë apo Nejmarin, të cilët jepeshin në “orbitën” madrilene. Zidan do të mbajë edhe Karim Benzemanë, pra linja sulmuese e skuadrës mund të quhet e plotësuar (shto edhe Vinisiusin), edhe pse një “goditje e madhe” gjatë verës mund të bëhet për ta përforcuar edhe më shumë. Zidan e ka bërë të qartë se pëlqen Mbapenë, ndonëse Nejmar mund të ishte më i mirë për presidentin Perez nga ana e biznesit.
Luka Joviç tek Reali është vazhdim i politikës së klubit spanjoll të afrimit të lojtarëve të rinj e të talentuar, siç ka bërë me Brahimin, Sebajosin, Asension apo edhe Vinisiusin. Joviç ka shënuar 26 gola e ka dhënë 7 asiste në 44 ndeshje për Ajntrahtin këtë sezon, përfshi edhe rrjetën ndaj Çelsit në gjysmëfinalen e Ligës së Europës. Ai është një tjetër “prodhim” i shkëlqyer i shkollës serbe të futbollit.
Sfidanti.al