Një përpjekje dëshpëruese po përpiqet të bëhet në “Santiago Bernabeu”. Reali i Madridit po përpiqet të bindë Kristiano Ronaldon që të thotë se iku me dëshirën e tij nga klubi, në mënyrë që të shpëtojë nga zemërimi i tifozëve. Presidenti Florentino Perez trembet pikërisht nga ata tifozë, një pjesë e të cilëve e vërshëllyen CR7-ën më shumë se një herë në stadium, dhe nuk dëshiron të mbajë përsipër “autorësinë” e largimit të tij nga skuadra.
Vetë Ronaldo vështirë se do ta pranojë këtë kusht (e kush, ai?!), pasi e ka ndarë mendjen përfundimisht për t’u larguar, pasi e dha mesazhin e tij menjëherë pas finales së Championsit, dhe pasi e ka bërë të qartë për mediat, qoftë edhe indirekt, se po largohet sepse klubi nuk e respektoi.
Sidoqoftë, Ronaldo po tregohet i kujdesshëm, për të mos acaruar situatën më shumë sesa duhet. Agjenti i tij, Zhorge Mendes, u shpreh për gazetën portugeze, “Rekord” se “nëse Kristiano largohet nga Reali, ai do të jetë përjetë mirënjohës ndaj klubit, presidentit dhe gjithë stafit pa asnjë përjashtim, po ashtu edhe ndaj tifozëve madrilenë në gjithë botën”.
Sfidanti.al