Askush nuk doli plotësisht i pakënaqur nga gjysmëfinalja e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Reali i Madridit, i cilësuar favorit përpara ndeshjes, do të luajë finalen pas suksesit 3-2, por nga ana tjetër përshtypjen më të madhe e bëri Barcelona. Skuadra e Ksavi Hernandezit, përballë një kundërshtari shumë superior, tregoi veten dhe u rrëzua vetëm pas 120 minutave. “Barcelona rikuperon madhështinë dhe bie me të gjitha nderet”, – ishte titulli i të përditshmes “Sport” të Katalonjës. “Me Ansu Fatiun dhe Pedrin është tjetër gjë”, – u detyrua të pranojë “Marka” e Madridit.
Reali ishte vazhdimisht në epërsi, me Vinisiusin në 25’, pastaj me Karim Benzemanë në 72’ për 2-1 dhe përfundimisht me Fede Valverden në 98’ pra gjatë kohës shtesë. Luk De Jong barazoi në 41’ për katalanasit në 1-1 dhe Ansu Fati shënoi të dytin në 83’. “Ansu Fati është kthyer”, shkruajtën mediat katalanase. Edhe pse Reali mbajti 56 për qind zotërim topi, Barça pati disi më shumë gjuajtje, si dhe kornet 7-1. Finalisti tjetër i Superkupës së Spanjës do të mësohet nga gjysmëfinalja Atletiko Madrid-Atletik Bilbao në 13 janar.
Sfidanti.al