Jup Hajnkes, trajneri i Bajernit, u shpreh këto ditë se “nuk mund të heqim nga llogaria Realin, pres që spanjollët ta eleminojnë PSG-në”. Këto fjalë u dëgjuan mirë në Madrid ku krenaria ngriti kokë në momentin e duhur. “Merengesit” u treguan në formën e tyre më të mirë pikërisht pak ditë përpara sfidës në Champions ndaj francezëve, duke shpërthyer si një “uragan” në fitoren 5-2 në “Bernabeu” ndaj Real Sociedadit.
Kristiano Ronaldo shënoi tregolëshin e parë të sezonit dhe tani ka 11 rrjeta në La Liga, kurse autorë të tjerë ishin Lukas Vaskez e Toni Kros. Trajneri Zidan që la pushim Bejlin, Naçon dhe Kasemiron, duke menduar për Paris SG, u shpërblye për besimin pa asnjë lëkundje që tregoi ndaj yjeve të tij.
Gjithsesi, përveç meritave të madrilenëve, disfata 2-5 erdhi edhe për shkak të dobësisë së baskëve, që shitën qendërmbrojtësin kryesor në janar dhe (siç komenton “Marka”), “po bien në renditje, si një gur që bie nga lartësia drejt tokës”. Sociedadi vazhdimisht humb në Madrid, dhe 4 sezonet e fundit ka pësuar të paktën 4 gola për çdo takim.
Fitorja nuk është se e ndryshon shumë pozitën e Realit në renditjen shtëpiake, pasi Ronaldo me shokë janë 10 pikë prapa Atletikos dhe plot 16 pikë prapa Barcelonës. Gjithsesi, ajo jep moral për garën e vetme që ka kuptim këtë edicion, atë në Ligën e Kampionëve. Vetëm fitorja e Championsit do ta shpëtonte sezonin e “los blankosve” dhe të trajnerit Zidan.
Sfidanti.al