Kejn-Aguero-Salah, beteja për golin në Premier Ligë!

Nëse garë për titullin me gjasë nuk ka, s’mund të thuhet kështu për garën e golit në Premier Ligës. Të paktën, janë tre mëtues të mëdhenj për Këpucën e Artë, Harri Kejn, Kun Aguero dhe Mohamed Salah. Sulmuesi i Totenhemit cilësohet si lojtari më në formë në Angli dhe bashkë me rrjetën në derbin ndaj Arsenalit, ka 23 gola në emrin e tij, duke qenë në krye të renditjes.

Gjithsesi, ndjekësit kanë pasur ritëm më të lartë sesa Kejn javët e fundit. Mohamed Salah po afrohej e po afrohej, ndërsa arriti në 21 gola, duke pasur në dorë edhe ndeshjen e radhës të Liverpulit, atë në fushën e Sauthemptonit. Egjiptiani, papritur, është bërë njeriu kryesor i trajnerit Jurgen Klop, sidomos pas largimit të Kutinjos.

Ja edhe Sergio Aguero. “Kun” ishte heroi i ditës në Premier, me 4 gola në portën e Leisterit, ndërsa Mançester Siti triumfoi 5-1. Edhe argjentinasi ka 21 rrjeta, po aq sa Salah. Aguero po përfiton nga dëmtimi i sulmuesit brazilian, Gabriel Zhezus, dhe trajneri i tij, Guardiola, është i detyruar ta aktivizojë vazhdimisht si titullar. Kun ka shënuar gjithsej 143 gola në Premier, duke qenë një nga 12 më të mirët në histori. Ai ka mundësi të thyejë rekordin personal me 26 gola në 2014-2015.

Sfidanti.al