Reali beson, para El Klasikos, se është kthyer magjia e Zidanit!

Goli i shënuar në minutën e 95-të në “Mestaja” bëri që në Madrid barazimi ndaj Valencias të shihej si një fitore. U la mënjanë fakti se vendasit u treguan të mëdhenj duke e vënë Realin në vështirë, por u theksua fakti se “merengesit” nuk dorëzohen deri në fund. Këto ishin edhe fjalët e Zinedin Zidanit, që deklaroi se “besojmë në këtë që bëjmë, dhe kemi besim derisa vërshëllen gjyqtari”.

Morali duket i lartë në prag të El Klasikos që do të luhet të mërkurën në “Kamp Nou”, dhe që do të jetë në një klimë të nxehtë për shkak të protestave katalanase. Do të kishte qenë ndryshe nëse Reali do të kishte shkuar në Barcelonë pas një humbjeje, ndërsa tani ka më shumë besim. Sidomos me lojtarë si Benzema, autori i golit, apo Valverde, uruguajani i ri që cilësohet si njeriu që e ka madridizmin në gjak.

Sfidanti.al