Kur mbeten vetëm 8 në fushën e betejës thuajse nuk ka asnjë mundësi që të ketë duele të lehta. Ishte e pritshme që sfida titanike do të dilnin nga nxjerrja e gogla nga vazot e UEFA-s, për shortin e Championsit, hedhur në Nion të Zvicrës, dhe një Real Madrid-Liverpul është thuajse maksimumi klasik i mundshëm. Bashkë me të, përballje të tilla si Bajern i Mynihut-Paris SG dhe Mançester Siti-Dortmund. Fatin më të madh, të paktën siç mund të thuhet tani, e pati Çelsi që u vendos në “rrugën” e Portos.
Kur Reali e Liverpuli ndeshen, do të thotë se me vete “sjellin” 19 Champions apo Kupa të Kampionëve, kaq kanë fituar së bashku në histori. Madrilenët janë 13 herë kampionë të Europës, të kuqtë janë 6 herë, dhe vetëm Milani (7) qendron mes tyre dhe spanjollëve. Duele më parë kanë pasur, Liverpuli ka fituar finalen e vitit 1981 (1-0), dhe e ka eleminuar Realin nga Championsi në turin e dytë në 2009 me dy fitore në total 5-0. Reali ka fituar finalen e vitit 2008 (3-1) dhe dy ndeshjet e grupit në 2014-2015 me shifrat e përgjithshme 4-0.
Bajern-PSG është duel relativisht i ri, dhe është përsëritje e finales së vjetshme, fituar 1-0 nga bavarezët. Nuk dihet sesi do të përfundojë këtë herë, ndonëse gjermanët do të jenë sërish favoritë, por përballë Mbapesë e Nejmarit me shokë duhet bërë mjaft kujdes, siç u tregua edhe ndaj Barcelonës.
Mançester Siti-Dortmund i ka të gjithë elementët për të qenë një duel me spektakël maksimal, pasi të dyja skuadrat luajnë ashtu. Gjermanët kanë Erling Halandin, por edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë si Humels, Rojs apo edhe adoleshenti i vogël Mukoko. Skuadra e Guardiolës ka gjithçka që i duhet një ekipi superior futbolli, me përjashtim të trofeve dhe të përvojës, e vetmja gjë që i jep shpresë Borusias.
Çelsi-Porto nuk mund të jetë një gjë e përfunduar që pa nisur. Portugezët eleminuan Juventusin në turin e dytë, pra mund ta bëjnë edhe ndaj Bluve të Londrës. Trajneri Tomas Tuhel ka një ekip shumë të mirë që dominoi Atletikon e Madridit, por Porto ka mjaft përvojë europiane, ndaj do të duhet maksimumi, pra nuk do të jetë aspak e lehtë. Në gjysmëfinale, nëse do të nisemi sipas parashikimeve, mund të kemi një Liverpul-Çelsi apo Real-Çelsi, dhe një Bajern-Mançester Siti.
Çerekfinalet
Real Madrid-Liverpul
Bajern Mynih-Paris SG
Mançester Siti-Dortmund
Porto-Çelsi
Ndeshjet, në 6-7 prill dhe 13-14 prill.
Gjysmëfinalet
Bajern/PSG-Man. Siti-Dortmund
Real/Liverpul-Porto/Çelsi
Ndeshjet, në 27-28 prill dhe 4-5 maj.
Parashikimet: Man. Siti 2.25, Bajern 4.00, Liverpul 6.00, PSG 7.00, Çelsi 8.00, Real 12.00, Dortmund 33.00, Porto 40.00.
Sfidanti.al