Liga e Europës, Mançester Junajtidi përplaset me Granadën!

E para nga dora e atij që tërhiqte shortin doli skuadra spanjolle. Granada e nisi aventurën e saj kontinentale këtë sezon duke u ndeshur me Teutën në “Niko Dovana” të Durrësit në raundin e dytë në 17 shtator të vitit të kaluar e duke fituar 4-0, ndërsa tani ndodhet në çerekfinale të Ligës së Europës e do të ndeshet me Mançester Junajtidin. Mediat spanjolle reaguan menjëherë duke shkruar se Granada nuk pati shumë fat sepse u vu përballë “gjelit” më të madh të kompeticionit.

Shorti, në tërësi, nuk ishte aspak në nivelin dramatik të Championsit, por sidoqoftë ndeshjet janë interesante. Arsenali i paqendrueshëm këtë sezon do të provojë fatin me Sllavian “e tmerrshme” të Pragës, së cilës ishujt britanikë i sjellin fat, pasi eleminoi Leisterin anglez dhe Gllazgou Rejnxhërsin skocez. Roma do të shkojë në fushën e Ajaksit, në një duel klasik për atë që përfaqësojnë dy skuadrat (sidomos holandezët), ndërsa Vijarreali do të shkojë në fushën e Dinamos së Zagrebit. Kroatët, ashtu si edhe çekët, janë tepër të rrezikshëm ndonëse nuk nisen si favoritë.

Çerekfinalet

Granada-Mançester Junajtid

Ajaks-Roma

Arsenal-Sllavia e Pragës

Dinamo e Zagrebit-Vijarreal

Ndeshjet, në 8 e 15 prill.

Gjysmëfinalet

Granada/Man. Junajtid-Ajaks-Roma

Dinamo/Vijarreal-Arsenal-Sllavia

Ndeshjet, në 29 prill e 6 maj.

Sfidanti.al