Sapo ishte kthyer në fushë duke thënë “erdha edhe unë”, por nuk paska qenë e thënë. Milot Rashica po kalon vitin më të vështirë të karrierës sepse dëmtimet po ndjekin njëri-tjetrin. Sulmuesi i Kosovës dhe i Verderit të Bremenit u dëmtua në stërvitje, ndërsa bëhej gati për të qenë sërish në fushë në Bundesligë. Mediat gjermane raportojnë se 24-vjeçari nuk dihet se kur mund të kthehet pas “ndalesës” së radhës, një lajm shumë i keq për skuadrën nga Gjermania Veriore. Fillimisht, Rashicës nuk iu plotësua dëshira për të kaluar në një skuadër tjetër, në Bundesligë, Premier Ligë apo diku tjetër, ndërsa tani e keqja po vazhdon.
Vizita mjekësore nxorri se ai ka dëmtim në tendinin e Akilit, dhe mungesa sipas raportit zyrtar të klubit mund të jetë deri në fund të janarit. Rashica mund të humbasë edhe fillimin e gjysmës së dytë të sezonit. Shqiptari nga Kosova u rikthye në formacion vetëm në javën e 7-të të kampionatit në barazimin 1-1 ndaj Këlnit dhe po ashtu në barazimin 1-1 në Mynih me Bajernin. “Më vjen shumë keq për Milotin, – thotë trajneri Kohfeld, – është mëkat i madh që nuk do t’i kemi cilësitë e tij për një kohë kaq të gjatë”.
Sfidanti.al