Në Gjermani i quajnë “klube tradicionalë”, “traditional vereinen”! Një prej tyre është edhe Verderi i Bremenit që nuk lejoi veten që të binte nga kategoria, duke mbajtur vendin në Bundesligë “me thonj e me dhëmbë”, me një barazim në frymën e fundit në fushën e Hajdenhajmit, në ndeshjen e dytë të plej autit. Përballë një kundërshtari thuajse krejt pa emër, por me entuziazëm dhe zemër, “hanseatikët” ja dolën me barazimin 2-2, ndërsa ndeshja e parë në Bremen kishte përfunduar 0-0.
Milot Rashica ishte në fushën e lojës deri në 80’, duke ndikuar në autogolin e shënuar që në minutën e 3-të nga Norman Tojerkauf. Shqiptari i Kosovës provoi një gjuajtje të fortë në minutën e 9-të, por që portieri vendas Myler e devijoi mbi tra. Edhe një minutë para se të dilte nga fusha, Rashica gjuajti në pozicion të mirë, në pikën e bardhë të penalltisë, por topi u bllokua pa arritur në portë. Klaindinst barazoi për vendasit në 85’, por Augustinson kaloi sërish Verderin në epërsi në minutën e 5-të shtesë. Sërish Tim Klaidinst ishte i fundit që u dorëzua me barazimin e dytë në 90’+7. Kështu, Rashica do të largohet nga Verderi si lojtar Bundeslige, e po ashtu besohet edhe legjenda Klaudio Pizarro, ndërsa sulmuesi peruvian është sot 41 vjeç.
Sfidanti.al