Rama akuzon kryebashkiakët për dhunë, i ka deputetë në Kuvend!

Pak ditë më parë, kryeministri Rama, iu turr keqazi atyre kryetarëve të bashkive që kanë bërë lëmsh ndeshjet e futbollit, për t’u dukur si tifozë të zjarrtë të ekipit të qytetit. Parimisht, ai kishte të drejtë, por jo në pozicionin që është, si kryetar i PS-së dhe i mazhorancës që qeveris. Rama foli për një ish-kryebashkiak që kishte hyrë në fushë me makinë duke thyer portën e stadiumit, por harroi të shtonte se ky ish-kryebashkiak, Dritan Bici, jo vetëm që ka përfaqësuar PS-në për vite me radhë, por tani është deputet i PS-së në Kuvend, pasi braktisi PDIU-në.

Edhe presidenti tjetër në krah të tij, ai i FSHF-së Duka, mund të kritikojë dhunën e tifozëve, veçse mund të hidhte sytë edhe majtas-djathtas në tryezën ku ishin presidentë që kanë dhunuar e kërcënuar arbitra e kundërshtarë, dhe që vazhdojnë të jenë anëtarë të Federatës, madje kanë të drejtë të votojnë e të zgjedhin presidentin. Morali i gjithë kësaj historie, pavarësisht modernitetit të fasadave të tryezave (se pjesëmarrësit ishin shumë të vjetër dhe bënin kontrast), është që kur një njeri ka mundësi të të mbajë në pushtet, ai nuk hidhet në kosh, edhe kur ka bërë dhunë në stadium, në fshat, në lagje apo në qytet.

Sfidanti.al